
Federata e Futbollit të Maqedonisë ka marrë një vendim drastik përsa i përket sfidës mes Voska Sport dhe Vardarit, e cila u ndërpre në minutën e 76-të.
Kur dueli ishte në atë minutë dhe me shifrat 1-1, lojtarët e Voskës vendosën që të linin fushën e lojës për shkak të vendimeve të arbitrit. Kjo ndeshje nuk u përfundua, pasi futbollistët e Voska Sport nuk u kthyen më në fushë.
Pikërisht në lidhje me këtë, Komisioni i Garave pranë FFM-së ka vendosur që sfida të fitohet nga klubi nga Shkupi, Vardari me rezultatin 0-3 në tavolinë. Kështu kryeqytetasit marrin 3 pikë mjaft të vyera në misionin mbijetesë.
Në krahun tjetër, Voska Sport mbetet në vendin e fundit me 22 pikë, duke qenë një nga pretendetët kryesorë për të rënë nga kategoria.