
E ardhmja e Bledi Shkëmbit te Tirana është në udhëkryq. Drejtuesit bardheblu ende nuk kanë vendosur nëse do t’i besojnë korçarit edhe në sezonin e ri apo mes tyre do të ndajnë rrugët.
E në një situatë të tillë, kërkon të përfitojë një tjetër klub shqiptar. Bëhet fjalë për Strugën, ku mësohet se i ka bërë ofertë konktrete ish-futbollistit të Skënderbeut. Sipas “gol.mk” raportohet se drejtuesit e klubit shqiptar nga Maqedonia e Veriut dëshirojnë trajnerin e bardhebluve, për t’i besuar “çelësat” e skuadrës për sezonin e ri.
Rezultatet jo pozitive dhe mbyllja e sezonit në vendin e 3-të në kampionat, duke mos siguruar një vend në Europë, ka bërë që te Struga të kthejnë sytë nga Shkëmbi.
Gjithsesi vlen të theksohet se rezultatet jo shumë pozitive me Tiranën, kanë bërë që e ardhmja e korçarit te bardheblutë të jetë pezull. Tashmë me ofertën e Strugës, pritet që shumë shpejt kjo dilemë të zgjidhet dhe të mësohet se çfarë do të ndodhë me 45-vjeçarin.