Nesër luhet ndeshja e Kupës së Maqedonisë midis Shkëndijës së Tetovës dhe Shkëndijës së Haraçinës. Pra, një derbi midis dy Shkëndijave. Takimi luhet në Tetovë dhe drejtuesit kanë dalur në njoftim për median para sfidës që starton të mërkurën.
Të dyja klubet janë shqiptare, kanë të njëjtin emër dhe duke qenë se luajnë për llogari të kupës që për nga rëndësia nuk ka atë vlerë si kampionati e për këto arsye klubi tetovar ka marrë vendimin që hyrja të jetë pa pagesë. Skuadra dëshiron një atmosferë sa më të zjarrtë dhe mbi të gjitha sa më vëllazërore mes shqiptarëve që mbështesin të dy klubet. Ndaj dhe kryesia ka vendos të ndihmojë në ktë aspekt që të krijojë solidaritet, bashkim dhe inkurajim në shkallët e stadiumit që po rikonstruktohet duke qenë se Bashkia e mbajti fjalën dhe filloi punimet në një sektor.
Hyrja falas do të bëhet për të gjithë pa dallim dhe synohet një klimë sa më e ngrohtë dhe miqësore, Vëllazëria shqiptare do të mbizotërojë duke dhënë një mesazh të fortë në Maqedoninë e Veriut sa i përket respektimit të vlerave etnike.
Deklarata e plotë e ekipit të Shkëndijës së Tetovës:
"E mërkura sjell ndeshjen e Kupës ndërmjet dy Shkëndijave, derisa duke ftuar sa më shumë spektatorë dhe për nder të tifozerisë mysafire, kryesia ka vendosur hyrja të jetë pa pagesë.
KF Shkëndija bën thirrje për një atmosferë vëllazërore dhe bashkimi para ndeshjes së Kupës së Maqedonisë, që do të zhvillohet të mërkurën në Tetovë, ku do të përballemi me Shkëndijën e Haraçinës.
Si klub, dëshirojmë të inkurajojmë vlerat e respektit dhe solidaritetit mes tifozëve të dy klubeve. Jemi të lumtur që shorti na dha mundësinë pas një kohe të gjatë dy Shkëndijat të luajnë mes veti në një ndeshje zyrtare, derisa kjo është mundësi e shkëlqyeshme për një festë futbolli ku rivalitet sportiv do të sjellin vetëm 90-të minutat në terren. Në këtë frymë, kemi vendosur të mirëpresim publikun mysafir dhe madje i ftojmë të na bashkohen në këtë ndeshje të rëndësishme. Le ta bëjmë bashkarisht këtë ditë festë sportive!
Për të krijuar një klimë të ngrohtë dhe miqësore, hyrja në stadium do të jetë falas për të gjithë. Ftojmë të gjithë dashamirët e futbollit të jenë pjesë e këtij momenti të veçantë, duke treguar se për vëllazëri nuk ka kufij."