
Goran Siljanovski është lojtari që i bllokoi merkaton sezonin e shkuar skuadrës së Flamurtarit. Mbrojtësi i djathtë, tashmë i Dinamos pati fituar gjyqin kundër kuqezinjve në FIFA. Institucioni i futbollit botëror përmes një ultimatumi detyronte Flamurtarin t'i paguante borxhin atij, por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe në këtë mënyrë u bllokua merkato.
Por, së fundmi kanë nisur të lëvizin për mirë gjërat te Flamurtari. Sinan Idrizi ka bërë me dije që nuk do të jetë më në krye të kuqezinjve, mirëpo ai dëshiron të largohet me borxhe të zeruar për periudhën që e ka pasur në drejtim. Siç raporton shtypi i shkruar, te Flamurtari është arritur marrëveshja me 8 lojtarë për të nisur shlyerjen e detyrimeve ndaj tyre. Bëhet fjalë për Goran Siljanovskin, Muhamed Useinin, Elton Calenë, Agustin Torasën, Danilo Alveshin, Kristian Sirgin, Tomislav Bushiç si dhe Artim Pollozhanin.