
Problemet për trajnerin e Vllaznisë, Ernest Gjoka nuk kanë fund. Peveç rezultateve negative, tani Gjoka duhet të përballet edhe me mungesat që do të ketë në sfidën e sotme ndaj Flamurtarit, një transfertë e vështirë, nga e cila trajneri ka thënë se, minimumi kërkon të mos dalë pa pikë nga Vlora.
Përveç Denis Pjeshkës, një tjetër mungesë për Vllazninë do të jetë dhe mesfushori Florin Bardulla, i cili shfaqi probleme në seancën stërvitore që u zhvillua ditën e enjte dhe për pasojë nuk ka udhëtuar drejt Vlorës.
Këto probleme kanë "paralizuar" trajnerin Gjoka i cili kërkon pikë në këtë transfertë, por disa prej titullarëve e "braktisin" në minutën e fundit duke i prishur planet. Në këto kushte, tekniku duhet t'i bëjë mirë llogaritë në rast se nuk kërkon të përsërisë rezultet negative që do të dëmtonin rëndë ekipin e Vllaznisë dhe vetë trajnerin.
Kujtojmë, që Flamurtari pret në shtëpi sot Vllazninë në orën 16:00 për të luajtur takimin e javës së 14-të të Superligës.