
Ervin Buku njihet gjerësisht për kontributin e dhënë në kombëtaren shqiptare si futbollist, por një ngjarje e ndodhur së fundmi ka krijuar “mjegullnaj”. Konkretisht në një artikull të publikuar në mediat kroate në lidhje me duelin Hajduk Split-Dinamo, thueht se Bulku ka mbështetur rivalin e klubit të Ilir Dajës.
Kjo situatë është pritur mjaft keq nga tifozët e Dinamos, aq sa ka detyruar edhe bordin e dinamovitëve të bëjnë reagim zyrtare. Pas gjithë kësaj “meseleje”, i ka vënë “pikat mbi i” vetë Ervin Bulku, përmes një deklarate në rrejetet e tij sociale: “Një titull abuziv dhe që nuk është shkëputur në asnjë pjesë të një interviste për mediat kroate, ka krijuar një atmosfere surreale në opinionin tonë sportiv.
Nuk do të kisha reaguar, sepse çdo media para se të bjerë në batakun e gënjeshtrave, do të kishte kërkuar minimalisht të lexonte të plotë intervistën time. Në atë prononcim kam përcjellë ndjenjat e mia te ngrohta për periudhën që isha pjesa e atij klubi, kujtimeve shumë të mira që kanë lënë disa futbollistë shqiptarë në të kaluarën dhe që janë një themel i fortë për lojtarët aktualë dhe atyre që mund të vijnë, si dhe marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona.
Kam bërë gjithashtu një vlerësim teknik të të dyja skuadrave, ku kam veçuar Hajdukun si favorit, por në asnjë rast pa cituar që në duelin Hajduk-Dinamo dua fitoren e Hajdukut. Ky reagim vjen pasi në rrjetën e mashtrimit të një titulli abuziv ra edhe faqja zyrtare e Dinamos Shpresoj shumë në mirëkuptimin e opinionit të gjerë sportiv dhe si në çdo rast i dëshiroj suksese çdo klubi shqiptar në garat europiane”.
