
Një ngjarje e pazakontë u regjistrua mbrëmjen e së shtunës në qytetin juglindor, Korçë, ku një i ri i identifikuar si Kostandin Dramolli, goditi me gurë fasadën e jashtme të Bashkisë.
Madje, ai filmoi gjithë aktin “live” në rrjetet e tij sociale dhe nuk nguroi të “nxirrte dufin” e tij kundrejt qeverisë, autoriteteve lokale dhe kryeministrit Edi Rama.
Me një fjalor aspak adekuat dhe të turpshëm, ky shtetas u shpreh i inatosur për aksionet e IKMT-së, për lirimin e hapësirave publike në lagjen nr. 14 të qytetit, aty ku dhe ai banon.
Dramolli mësohet se ka qenë ish-portier i Skënderbeut dhe gjatë karrierës së tij, përveç klubit korçar ka qenë edhe pjesë e Bylisit, Pogradecit, skuadrës greke Pierikos dhe Maliqit. Te kjo e fundit ka mbajtur dhe shiritin e kapitenit.
Mirëpo pasioni i tij për muzikën bëri që të ndërpriste në mes karrierën e tij në futboll. Burime për mediat bëjnë me dije se ky shtetas më herët ka qenë i dënuar me burg edhe njihet me nofkën "Çekiçi 14".
Sakaq, lidhur me ngjarje ne regjistruan një ditë më parë, Policia e Korçës ende nuk ka ardhur me një njoftim zyrtar, por nga burime mësohet se pas aktit ky shtetas u shoqërua në Komisariat dhe u procedua në gjendje të lirë pasi është cilësuar me probleme të shëndetit mendor.
Për më tepër informacione pritet në vijim një njoftim zyrtar nga blutë e Korçës!