
Luftëtarit nuk i ndahen telashet këtë periudhë. Pas humbjes së gjyqeve me ish-trajnerin Ahmataj dhe kapitenin Rapo, gjitokastritët kanë marrë një dënim nga UEFA që i bllokon merkaton si shkak i detyrimeve të pashlyera ndaj ish-futbollistit Aurelio. Si të mos mjaftonin këto, një tjetër "re e zezë" shfaqet në horizont.
Gjatë emisionit "Pressing" të gazetarit Gerti Çarçani, Artur Dada që mban postin e zëvendëspresidentit te Luftëtari, ka pranuar se klubi ka humbur një tjetër gjyq me Bruno Toledon që ka luajtur më herët me gjirokastritët. "Bëhet fjalë për një lojtar nga Uruguai që ka zhvilluar 3-4 takime me ne, disa si zëvendësues. Ekipet që e kanë rritur do kërkojnë taksën e formimit dhe administrata e mëparshme ka firmosur gabim kontratën. Ai duhet të ishte nën moshë, por firma erdhi kur mbushi 23 vjeç me kampionatin që kishte nisur në Uruguaj".
Kështu, Luftëtari detyrohet afro 200 mijë euro për Liverpool Montevideo. Faktin se lojtari konsiderohej nën moshë, sipas drejtuesve të Luftëtarit është shfrytëzuar nga avokatët e Akademisë së Liverpool në Uruguaj. "Për momentin kjo nuk është pengesë, por shkrsa ka ardhur dhe është zyrtare", ka thënë mes të tjerash Dada. Gjatë sezonit 2017-18, Toledo ka qenë pjesë e Luftëtarit, duke zhvilluar 11 takime, 9 prej të cilave si titullar. Lojtari ka dalë nga akademia e Liverpool Montevideo, duke u aktivizuar edhe me ekipin e parë për disa ndeshje.