
Pas përfundimit të dy fazave të para, Vllaznia e Armando Cungut nuk e ka mbyllur siç duhet këtë gjysmë të sezonit. Vetë trajneri shkodran ka deklaruar që është i pakënaqur me lojtarët e tij, megjithatë sipas tij kaq janë mundësitë që ka në dispozicion. Tashmë drejtuesit kuqeblu kanë nisur të mendojnë për merkaton e dimrit. 5 emra janë më të përfolurit në kampin shkodran. Bëhet fjalë për Gilman Likën, Erjon Vucajn, Ansi Nikën, Bekim Demën dhe Sindrit Guri.
Lika, Vucaj dhe Nika nuk janë të kënaqur me hapësirën që trajneri i Tiranës i ka dhënë në dispozicion, teksa kanë luajtur vetëm në disa ndeshje. Gjasat janë që të 3 ata të kërkojnë ndërprerjen e kontratës me konsensus, megjithatë duhen pritur ditët e ardhshme për të mësuar se cila do të jetë e ardhmja e tyre.
Bekim Dema ishte pjesë e Kukësit në këto 2 faza që u mbyllën, por tashmë ai ka shkëputur marrëdhëniet me verilindorët dhe është një lojtar i lirë. Gjasat janë që 23-vjeçari t'i bashkohet Vllaznisë.
Një shkodran tjetër që përflitet në skuadrën e Cungut, është sulmuesi i Kukësit, Sindrit Guri. Guri u afrua te Kukësi me shumë bujë pas një sezoni të mrekullueshëm në Kategorinë e Parë me Korabin. Por, edhe për të nuk ka pasur hapësira në formacion, pasi Pejiç dhe Emini kanë "blinduar" sulmin. 23-vjeçari është pranë largimit nga verilindorët dhe destinacioni i tij i ardhshëm pritet të jetë Vllaznia. Megjithatë zhvillime të reja priten në ditët në vazhdim, nëse këto 5 lojtarë do t'i bashkohen ose jo Vllaznisë.