Stadiumi “Korabi” i Dibrës është vizituar së fundmi nga përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, në kuadër të procesit të licencimit për zhvillimin e ndeshjeve të klubit të Korabit në shtëpi gjatë edicionit të ri futbollistik.
Eduard Gjini, menaxheri i Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të klubeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, në një prononcim për fshf.org tregon se Bashkia e Dibrës ka marrë përsipër që të investojë në stadiumin e qytetit dhe të rregullojë dhomat e zhveshjes, rrethimin e brendshëm dhe të jashtëm të stadiumit si edhe tribunën VIP brenda afatit të përcaktuar nga FSHF, në mënyrë që klubi i Korabit të luajë në shtëpi edicionin e ardhshëm.
“Në kuadër të licencimit të klubeve të Kategorisë së Parë, Komisioni i Licencimit të klubeve ka marrë disa vendime që në muajin mars, duke pasur parasysh të gjithë dokumentacionin që klubet kanë paraqitur. Së fundmi kemi bërë një inspektim në stadiumin ‘Korabi’ të Dibrës. Stadiumi ‘Korabi’ i Peshkopisë ka një infrastrukturë jo të këndshme, jo të duhur. Dhe për këtë arsye patëm një takim edhe me kryetarin e Bashkisë, i cili mori përsipër që nëse qeveria nuk do të bënte një mini-stadium, atëherë Bashkia e Dibrës mori përsipër që komplet dhomat e zhveshjes, rrethimin e brendshëm dhe të jashtëm si dhe tribunën VIP t’i investojë vetë, për ta përfunduar brenda afatit dhe klubi i Korabit të jetë i gatshëm për të marrë pjesë sezonin që vjen në kampionatin e Kategorisë së Parë.
Që nga muaji mars ne kemi bërë vizita dhe inspektime në të gjitha stadiumet e të gjitha Kategorive, nga ‘Superiorja’, te Kategoria e Parë dhe e Dytë. Dhe siç jeni në dijeni, 12 stadiumet e Kategorisë së Parë janë tashmë gati, përveç dy stadiumeve, ‘Besa’ dhe ‘Korabi’, që janë lënë në Kategorinë e Dytë, derisa të gjehet një mënyrë se ku do të luajnë këto dy skuadra, të cilat do të bëjnë një marrëveshje me një stadium. Korabi do të luajë në shtëpi pas investimit të Bashkisë së Dibrës, ndërsa Besa do të gjejë një stadium për të luajtur për Kategorinë e Parë” – thotë Eduard Gjini, i cili ka edhe një thirrje të fortë për klubet shqiptare.
“Gjatë fazës përgatitore, lutem që asnjë klub të mos hyjë në stadiumin përkatës ku do të luajë ndeshjet, por të investojë në fusha stërvitore dhe t’i ruajmë stadiumet për t’i pasur sa më cilësorë në kohën që do të fillojmë kampionatin në shtator” – nënvizon menaxheri i Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të klubeve në Federatën Shqiptare të Futbollit për fshf.org.
https://youtu.be/Ds6cA6HXhGM