
Asgjë nuk ka përfunduar pasi Cleveland Cavaliers nuk dorëzohet. Skuadra nga Ohio dominoi përballjen e tretë finale të NBA kundër Golden State 120-90 , duke ngushtuar diferencën e ndeshjeve në total, 2-1. LeBron dhe Cavaliers ndryshuan fytyrë pas dy ndeshjeve të dobëta në Oackland. Në “Quicken Loans Arena”, mbreti i shtëpisë shënoi 32 pikë dhe 11 ribaunde por këtë herë nuk ishte i vetëm në parket pasi Kyrie Irving shtoi 30 pikë dhe 8 asiste. Edhe JR Smith tregoi muskujt me 20 pikë, ndërsa Tristan Thompson dominoi në të dyja krahët. I munguari i madh i mbrëmjes ishte Kevin Love që e ndoqi ndeshjen nga pankina për shkak të një dëmtimi në kokë, ndërsa në krahun tjetër, Steph Curry ishte hija e vetvetes dhe për këtë arsye trajneri Kerr e aktivizoi shumë pak.
Ylli i Warriors e mbylli mbrëmjen me 19 pikë, duke e premtuar se në ndeshjen e radhës do të japë maksimumin për t’u larguar me një fitore nga Ohio. Gjatë periodës së parë Cleveland u shfaq agresiv me Jefferson e James që i japin shuplakat e para kampionëve. Irving mori stafetën me 16 pikë duke thelluar avantazhin por Warriors nuk u dorëzuan pasi ishte Barnes ai që tentoi të mbante në lojë kalifornianët. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e vendasve 51-43, ndërsa me rikthimin në parket, diferenca shkoi deri në 20 pikë. Curry dha sinjale në fundin e ndeshjes por LeBron ishte i papërmbajtshëm. Të premten po në Ohio do të luhet ndeshja e katërt ku Cleveland ka mundësinë reale për të barazuar llgaritë, ndërsa Golden State do të tregojë nëse është një skuadër me karakter.