Ndeshja e Superkupës së Shqipërisë që do të luhet mes Skënderbeut si skuadra fituese e kampionatit dhe Kukësit që mori trofeun e Kupës ishte planifikuar që të luhej me 24 gusht në “Loro Boriçi”, por një vendim i fundit ka ndryshuar fushën se ku do të luhet kjo ndeshje.
Takimi që do të ngrejë dhe sipasin e futbollit shqiptar për sezonin 2016-2017 është zhvendosur në kryeqytet, pikërisht në “Selman Stermasi”, i cili është i vetmi stadium funksional në “zemrën” e Shqipërisë. Ndeshja do të luhet në orën 19:00.
Arsyet pse kanë shtyrë FSHF-në të marrë këtë vendim, është fakti se nuk mund të luhen 3 ndeshje për 14 ditë në impiantin më të ri modern në Shqipëri. Takimi i Superkupës është planifikuar më 24 gusht, ndeshja miqësore kundër Marokut më 31 gusht, ndërsa më 5 shtator do të luhet ndeshja e parë eliminatore kundër Maqedonisë po në “Loro Boriçi”.
Pra, ky është fakti i vetëm me të cilin justifikohet FSHF-ja, e cila kërkon që t’i ulë ngarkesën impiantit më të ri në vend, i cili duhet të jetë gati për ndeshjet e Kombëtares.
Stadiumi "Selman Stermasi" ku do të luhet ndeshja finale e Superkupës