
Në kuadër të masave që po ndërmerr policia për mbarëvajtjen e derbit Tirana-Partizanit, pritet në stadium të mos ketë më vendosje të kryqëzuara të tifozërive në tribunat e "Selman Stërmasit".
Burime të sigurta bëjnë me dije për newsport.al se në sfidën që do të luhet ditën e premte, Drejtoria e Policisë ka kërkuar nga klubi organizator i ndeshjes (Tirana) që tifozët e Partizanit të qëndrojnë në tribunat B dhe C. Një masë paraprake kjo e kërkuar nga ana e policisë për të mos patur asnjë kontakt mes dy tifozërive gjatë derbit.
Një ide e tillë është zbatuar edhe në derbin e fundit kur organizator ishte Partizani, ndërsa tifozët e Tiranës u caktuan për të qëndruar në tribunat A dhe H, pranë njëri tjetrit dhe jo të ndarë në sektore të ndryshme si në sfidat e mëparshme të luajtura në "Selman Stërmasi".
Kujtojmë se në derbin e fazës së dytë, Tirana-Partizani, në stadiumin "Selman Stërmasi" u shënuan incidente mes tifozëve bardheblu dhe atyre të kuq, pikërisht për faktin se tifozët kundërshtarë ishin të vendosur pranë njëri-tjetrit.
Në këto kushte, policia ka kërkuar nga klubi i Tiranës që biletat për tifozët e Partizanit të caktohen në tribunat B dhe C.
Pritet që klubi i Tiranës të dalë me një njoftim në orët në vazhdim për sa i përket ndarjes së tribunave dhe çmimet e biletave./ NEWSPORT.AL/