Kukësi bën goditjen e parë në merkato. Simon Rrumbullaku i është bashkuar verilindorëve akoma pa u hapur merkatoja e janarit. Mbrojtësi i krahut do t’i bashkohet ekipit të trajnerit Gjoka menjëherë sapo skuadra të nisë stërvitjen dhe të jetë gati për fazën përgatitore.
Mbrojtësi gjirokastrit ka zgjidhur problemin me ish-klubin e tij në Greqi, Apollon Smirna dhe ka firmosur si lojtar i lirë për skuadrën e Kukësit.
Rrumbullaku – Futbollisti ka një eksperiencë të gjatë në Greqi. Ai ka luajtur me ekipe si Pas Janina, Panetolikos, Kalamata etj. 24-vjeçari do të provojë eksperiencen e parë në Shqipëri me Kukësin.
“Jam shumë i lumtur që jam bërë pjesë e klubit të Kukësit. Kjo është një mundësi e mirë për mua dhe dua të dal kampion. Do të bëj më të mirën për këtë klub dhe e falënderoj presidentin Safet Gjici për këtë mundësi. Besoj se do të përshtatem shpejt me ekipin e Kukësit dhe më ndihmon edhe fakti që jam afruar me ekipin dhe do të zhvilloj edhe fazën përgatitore. U ktheva në Shqipëri për të dalë kampion dhe do të gjej një ambient mjaft të mirë këtu. E kam ndjekur futbollin shqiptar dhe them se ka rritur shumë në nivel. Synoj titullin kampion, kupën dhe sigurisht pjesëmarrjet në Europë”, ka thënë ai për faqen zyrtare të klubit të Kukësit.