
Tirana do të luajë të shtunën kundër Laçit, ndeshje e vlefshme për javën e tetë të Superiores. Përveç rëndësisë së pikëve, ky takim është mjaft delikat për sa i përket fatit të trajnerit Ard Mema. Tekniku bardheblu është në "fije të perit", teksa nga presidenca bardheblu është vënë ultimatum fitore në ndeshjet e radhës. Ndaj kurbinasve pritet të jetë mjaft e vështirë dhe pas ardhjes në stol të Armando Cungut, bardhezinjtë duken të karikuar për një rezultat pozitiv. Laçianët shquhen si skuadër që "hanë" koka trajnerësh. Madje Tirana e ka pësuar vitin e shkuar po nga bardhezinjtë. Asokohe ishte trajner Ze Maria dhe braziliani u shkarkua pikërisht pas humbjes 1-0 ndaj kurbinasve, po në javën e tetë.
Presidenti Refik Halili ia besoi pankinën Ard Memës, ndërsa tashmë pozitat e 47-vjeçarit janë lëkundur ndjeshëm. Presioni është në anën e bardhebluve. Një vit më parë, saktësisht në 11 tetor Laçi arriti të "shkarkonte" Ze Marian. Një vit më pas situata te bardheblutë është krejt ndryshe, pasi loja dhe cilësitë janë kuruar ndjeshëm. Por fati i trajnerit mbetet i lëkundur. A do të jetë shkaktar Laçi sërish për ndryshime në pankinën bardheblu? Le të shohim. Gjithçka do të vendoset të shtunën në orën 14:00, në stadiumin "Selman Stërmasi". Të dy ekipet vijnë në këtë sfidë pas barazimeve, kurbinasit ndaj Bylisit, ndërsa bardheblutë ndaj Flamurtarit. Kujtojmë që Tirana ndodhet në vendin e 5-të me 11 pikë, kurse Laçi në 8-tin me 7 pikë.