
Kukësi do të luajë ditën e sotme ndaj Egnatias një nga sfidat ë të rëndësishme të këtij sezoni. Skuadra e udhëhequr nga Bledar Devolli do të bëjë në “Air Albania” llogaritë e finales të Kupës së Shqipërisë.
Sfidë kjo që do të startojë në orën 19:00 dhe ku verilindorët do të luajnë gjithçka për gjithçka për të fituar për herë të tretë në histori Kupën e Shqipërisë. Por futbolli ka plot surpriza dhe në Kukës janë të vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit dhe në fushën e lojës do të jenë “all-in”.
Në fakt verilindorët me në krye Devollin besojnë shumë te triumfi, i cili do t’i çonte në Europë, që tashmë është kthyer në një objektiv, ndërsa fatkeqësisht në kampionat këtë sezon nuk ia dolën të mbijetojnë, teksa do të rinisin gjithçka në sezonin e ri nga Kategoria e parë.
Në Kukës shpresojnë shumë të përsërisin Tiranën e disa sezoneve më parë, teksa janë gati të “imitojnë” bardheblutë e vitit 2017. Në atë sezon kryeqytetasit do t’ia dilnin të fitonin Kupën e Shqipërisë dhe të merrnin pjesë në kompeticione europiane, ndërsa në kampionat situata ishte ndryshe.
Viti 2017 është viti më i errët në historinë e Tiranës, pasi bardheblutë ranë në Kategorinë e Parë. Një histori që mund të përjetohet edhe nga Kukësi, me verilindorët që në kampionat nuk ia dolën dot të mbijetojnë mes më të mirëve të Superiores.