Ilir Daja ia doli që të “korrte” Kupën e Shqipërisë me Dinamon, pas fitores me shifrat 3-2 përballë Egnatias. Një duel që e “kurorëzoi” teknikun 59-vjeçar si trajnerin shqiptar më të trofeshëm me 13 të tillë, duke parakaluar edhe Mirel Josën.
Sigurisht që ajo e mbrëmshja nuk ishte e gjitha çështje aftësie, por edhe pak fat. E ky fat, Ilir Dajës i erdhi nga tribuna, aty ku ndodhej edhe nipi i tij, i cili duket se u bë “ogur i mirë” për gjyshin, duke i dhënë një “dorë” në sukseset e tij në profesion.
“Personalisht, jam i kënaqur, sot nipi im bëri 11 muaj, po ia dedikoj atij këtë Kupë. Ta bëj futbollist? Nuk e di, besoj që jo”, tha Ilir Daja në prononcimin pas finales.
Një fitore e veçantë jo vetëm për arritjet në karrierë, por edhe për dedikimin që vetë tekniku bëri pas ndeshjes. Me zemrën plotë nga dashuria për nipin dhe kabinetin plotë me trofe, duket se Ilir Daja është më i plotësuar se kurrë.
