
Do luhen sot, duke nisur nga ora 13:30 ndeshjet e kthimit të fazës së 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë.
Të shtyrë edhe nga rezultati i takimit të parë, fituar në transfertë me rezultatin 2-1, Skënderbeu pritet ta ketë test të lehtë sfidën me Besëlidhjen. Në Korçë, kampionët dëshirojnë të kapin çerekfinalen e Kupës dhe njëkohësisht të prishin "mallkimin" e rezultateve të fundit.
Një tjetër takim delikat për Kukësin, që përballë Apolonisë do vetëm fitoren, për shkak se fierakët kanë fituar në shtëpi 2-1. Pas përforcimeve të janarit, të besuarit e Cungut kërkojnë të marrin maksimumin edhe në Kupë.
Takim pa shumë histori pritet të luhet në Gjirokastër, aty ku Luftëtari niset i avantazhuar pas fitores 3-0 në ndeshjen e parë ndaj Egnatia. Edhe Partizani pritet ta ketë të lehtë, pavarësisht transformimit total të Kastriotit nga "magjistari" Bledar Devolli.
E favorizuar të paktën në letër niset edhe Teuta, me durrsakët që në "Niko Dovana" do kërkojnë të mbrojnë me fanatizëm triumfin 3-1 ndaj Lushnjës në takimin e parë. Teste mjaft të vështira për Laçin edhe Flamurtarin, që pas humbjes 2-0 respektivisht ndaj Bylisit dhe Tiranës do të kërkojnë maksimumin në shtëpi.
Duel delikat edhe ai i Kamzës, me vendasit që pasi "bojkotuan" duelin e kampionatit me Partizanin, do të kërkojnë të përmbysin Vllazninë, me shkodranët që kanë fituar sfidën e parë me rezultatin 2-1.