Nuk parashikohet të jetë më e njëjta skuadër siç jemi mësuar të shohim prej kohësh, por do të ketë ndryshime thelbësore. Nga ekipi janë larguar disa emra, ku bëhet fjalë kryesisht për brazilianin Lima dhe shkodranin Ansi Nika. Mes tyre do të ketë edhe të tjerë, të cilët gjatë fazës së dytë nuk u aktivizuan në fushën e blertë. Përpos lojtarëve, edhe stafi drejtues ka pësuar ndryshime, largimi i trajnerit Klodian Duro dhe ardhja e drejtorit sportiv Dritan Dervishi.
[caption id="attachment_1296" align="alignright" width="400"] Trajneri Klodian Duro dhe mesfushori Ansi Nika, të cilët janë larguar nga Kukësi[/caption]
Këto ndryshime fillimisht u kanë hapur dyertë ndryshimeve të tjera, që pritet të sjellin risi në skuadrën verilindore, e cila mësohet se ende nuk e ka përfunduar misionin e saj për të larguar futbollistë. Pritet që të ketë të tjerë emra, teksa po hartohet dhe lista e prurjeve që do të bëjnë zëvendësimin e të larguarëve.
Do të nisin ndryshime nga porta, ku pritet ardhja e një portieri shqiptar. Mësohet se kanë nisur negociatat me “gardianin” e Bylisit, Stivi Frashëri, ndërsa nuk dihet nëse do të ketë akord. Përpos tij, kërkohet mesfushori Torrasa që luajti me Partizanin, gjithashtu dhe sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj. Ky i fundit është i lirë dhe ka pasur një takim me presidentin Gjici.
Përpos emrave që qarkullojnë brenda vendit, Kukësi po mendon të hidhet në sulm për lojtarë të huaj, kryesisht nga tregu serb. Një qendërmbrojtës, një mesfushor organizator dhe një sulmues me potencial pritet që t’iu bashkohen kuksianëve, ndërsa drejteusit po vazhdojnë bisedimet. Të hënën skuadra do të niset drejt Mariborit, aty ku do të kryejë dhe fazën përgatitore përpara ndeshjeve eliminatore të Europa League.