
Kukësi ka mposhtur Teutën me rezultatin 4-0. Ndeshja e zhvilluar pasditen e djeshme në "Elbasan Arena" ka parë më konkretë djemtë e Shpëtim Duros, që nisur edhe nga stofi i lojtarëve që kanë në përbërje, nuk e kanë diskutuar asnjëherë fitoren ndaj "Djemve të Detit". Megjithëse kuksianët dominuan takimin e javës së 15, një dorë drejt suksesit ia dha edhe kryesori Xhaja me ndihmësat e tij.
Në takimin e djeshëm u akorduan tre penallti, çka vulosën fatin e sfidës. Penalltia e parë ishte e dyshimtë, pasi topi më herët preku trupin e mbrojtësit Hoxha dhe më pas dorën e tij. Lojtari do të ndëshkohej edhe me karton të verdhë në këtë rast. Edhe në rastin e penalltisë së dytë, aksioni vijon me pozicionin dukshëm jashtë loje të Shkurtajt dhe më pas akordohet 11 metërsh. Duket se vijërojtësi Bregasi nuk e ka vënë re këtë fakt, duke lënë lojën të vijonte. Prekja me dorë në rastin e dytë eksistonte, mirëpo loja duhej ndalur më herët për pozicion jashtë loje. Fakt është se Kukësi kryeson tabelën eklasifikimit me 27 pikë, dy më shumë se Laçi që mban vendin e dytë.