9 pikë larg vendit të parë, Tiranës, duken se nuk janë shumë për skuadrën e Kukësit. Jo vetëm drejtori Nderim Nexhipi, por edhe trajneri Orges Shehi është optimist se në 10 javë të mbetura ekipi i tij mund të arrijë vendin e parë. Data 18 maj do të jetë dita kur lojtarët do të zbresin në fushë për t’u stërvitur, ndërsa individualisht të gjithë po përgatiten maksimalisht.
Megjithatë ende s’është bërë e qartë nga qeveria se çfarë do të ndodhë me futbollin. Verilindorët i druhen një vendimi drastik. Nëse shifrat e personave të infektuar me COVID-19 s’do të ulen, atëherë aktiviteti futbollistik rrezikon të mos nisë. FSHF-ja ka caktuar datën 3 qershor për të rifilluar, por fjalën e fundit do ta thotë qeveria. Nëse merret vendimi drastik, atëherë automatikisht kampione do të shpallet skuadra e Tiranës.