
Kamza fitoi të drejtën për t'u përfaqësuar në Superligë sezonin e ardhshëm. Barazimi 1-1 i arritur sot kundër Besëlidhjes finalizoi me sukses një edicion të gjatë dhe të lodhshëm futbollistik për kamzalinjtë.
Për këtë sukses foli edhe kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu në një lidhje direkte për TVSH në emisionin "E hëna Sportive", duke e cilësuar këtë si një arritje të merituar, pasi ekipi udhëhoqi nga fillimi deri në fund Grupin A të Kategorisë së Parë.
"Jemi të lumtur për këtë sukses. E merituam! Kemi udhëhequr si kryesues të kampionatit nga java e parë deri në fund. Mendoj se formula e kampionatit na penalizoi, sepse do të ishim shpallur kampionë disa javë më parë. Por, fakti që në fazën e tretë u përgjysmuan pikët bëri që Besëlidhja të afrohej dhe Superliga për ne të vendosej në javën e fundit.
Shtyrja e ndeshjes dhe mos zhvillimi i saj në ditën e caktuar më parë mendoj se ka qenë një skenar i policisë në bashkëpunim me klubin e Besëlidhjes. Por tani kjo është një histori e shkuar dhe nuk na intereson shumë.
Dua të falënderoj edhe ish-trajnerin tonë, Bledar Devollin, i cili ka një rol të madh në këtë sukses të Kamzës, ashtu si edhe trajneri Ramadan Nderu që finalizoi me sukses një sezon fantastik për ekipin tonë.
Sezonin e ardhshëm do formojmë një ekip konkurrues. Do të bashkëpunojmë me presidentin e klubit, Naim Qarrin për të krijuar një skuadër kompetitive.
Shumë prej lojtarëve që kemi aktualisht, janë të denjë për Superligë, edhe pse do të kërkojmë të afrojmë futbollistë të tjerë elitarë.
Fusha e stadiumit të Kamzës na ka penalizuar, sepse terreni nuk ka qenë shumë i mirë. Por këto ditë do të fillojmë të ndërhyjmë si në tapetin e stadiumit dhe në shkallët e impiantit sportiv.
Për sa i përket buxhetit, gjatë gjithë sezonit kemi qenë korrekt në anën financiare ndaj lojtarëve. Kjo ka qenë një anë pozitive për ekipin tonë", tha kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.