
Mesfushori i Shqipërisë, Kristjan Asllani, është afrimi më i ri i Interit. Klubi zikaltër zyrtarizoi huazimin e lojtarit të Kombëtares kuqezi në radhët e tyre.
Në një intervistë për “Inter TV”, Asllani tha fjalët e para si lojtar i Interit, duke u shprehur: “Është një emocion i mrekullueshëm. Jam 20 vjeç dhe të veshësh këtë fanellë është një emocion unik për mua. Mezi po pres fillimin e sezonit të ri dhe do të jap më të mirën.
Nuk do e imagjinoja kurrë. U largova nga Shqipëria kur isha vetëm 2 vjeç dhe mbërrita në Itali. E bëra të gjithë shkollën këtu, fillova të luaj futboll në Itali dhe kurrë s’do e imagjinoja këtë.
Unë nuk e di kush më ka inspiruar, por është e vërtetë që nuk e kam lëshuar kurrë topin. Kam parë aq shumë ndeshje sa mundesha, sepse doja të mësoja diçka nga të gjithë mesfushorët. Tani jam me fat që do të luaj me Brozoviçin, i cili është një mesfushor shumë i fortë.
Unë akoma nuk i di cilat janë qëllimet e mia, unë thjesht mendoj në moment. Jam shumë i lumtur që kam debutuar kaq herët me Empolin, të cilit i detyrohem shumë. Tani jam këtu dhe do të përpiqem të jap më të mirën. Unë jam gati dhe u kërkoj tifozëve vetëm të na mbështesin sa më shumë që munden”, përfundoi Asllani.