
Për të tretën herë radhazi në prag të një derbi, Partizani zgjedh sërish mbrojtësin Gëzim Krasniqin për të folur në konferencë për shtyp në lidhje me sfidën kundër Tiranës.
Qendërmbrojtësi i të kuqve është shprehur se sfidën kundër bardhebluve, Partizani duhet ta fitojë për klubin dhe për tifozët.
"Pothuajse jemi në fund të këtij sezoni, çdo ndeshje e dimë që është një finale, por derbi ka një rëndësi më të madhe, pasi fitoren e dëshirojnë më shumë se kurrë edhe tifozët. Jemi të përgatitur për këtë përballje dhe shpresojmë se do ta kalojmë me sukses.
Në këtë moment për ne më e rëndësishme është të fitojmë trofeun, por duhet të theksoj se në përballjet derbi vitet e fundit rezultatet kanë folur në favorin tonë.
Ndaj Tiranës mendojmë vetëm fitoren , pasi nuk na lejohet asnjë rezultat tjetër sepse do të na dëmtonte në objektivat që kemi, ndaj them që vetëm fitorja do të na mbajë në garën për titull.
Për mendimin tim kjo ndeshje do të ketë vlerësimin tonë maksimal, pavarësisht pozitave në të cilat gjendet kundërshtari. Dua të kujtoj se në të njëjtat pozita Tirana ka qenë edhe para 3 vitesh dhe ne e humbëm derbin, ndaj pohoj se i kemi kushtuar rëndësinë maksimale këtij ballafaqimi.
Ne luajmë për objektivin madhor fitimin e titullit ndërsa Tirana për mbijetesë. Ne duhet thjesht të bëjmë detyrën tonë nuk na intereson fare se çfarë do të bëjnë Kukësi dhe Skënderbeu. Për Partizanin dy ndeshjet e radhës do të jetë përcaktuese për titullin.
Ta fitojmë këtë ndeshje për klubin dhe tifozët tanë të mrekullueshëm të cilët do të na mbështesin siç edhe vetëm ata dinë ta bëjnë në çdo ndeshje", përfundoi mbrojtësi i Partizanit, Gëzim Krasniqi.