Albion Rrahmani do të jetë lojtari më i ri i Spartës së Pragës në Çeki. Sulmuesi shqiptar ka vendosur të mbyllë aventurën e tij në Rumani me Rapidin e Bukureshtit, për t’iu bashkuar shqiptarëve të tjerë si Laçi, Tuci apo Krasniqi në Pragë.
Sipas mediave rumune, ish-sulmuesi i Ballkanit mbyll kështu eksperiencën e tij me Rapidin vetëm pas një sezoni. Kujtojmë që Ballkani e shiti Rrahmanin në Rumani për shumën e 600 mijë eurove. Por, fitimet e klubit nga Theranda nuk mbyllen me kaq, pasi kampionët e Kosovës do të përfitojnë edhe nga shitja e sulmuesit në Çeki.
Plot 5 milionë euro do të paguajë Sparta e Pragës te Rapidi i Bukureshtit, ndërsa 15 përqind e këtij fitimi i takon Ballkanit. Edhe pse lojtari është larguar para një viti, Ballkani do të mbushë arkën me plot 750 mijë euro nga kalimi i Rrahmanit në Çeki.