Pas largimit të Robert Lewandowskit në fundin e sezonit, vendi i lënë bosh prej tij ende nuk është plotësuar nga Barcelona, e cila po përpiqet të gjej një zgjidhje pa u vonuar më gjatë.
Prioriteti i katalanasve mbetet i përhershmi Julian Alvarez. Sulmuesi argjentinas e ka bërë tashmë të qartë dëshirën e tij për t’u transferuar në “Camp Nou”, por të dyja palët, janë përballur me rezistencën e vazhdueshme të Atleticos që ngulmon për të mos e shitur, ose duke ngritur “pjacën” e kërkesës për vlerën e kartonit, mbi 100 milionë euro.
Sakaq, drejtuesit katalanas nuk kanë ndërmend të lëvizin përtej kësaj shume, por koha nuk premton, ndaj dhe ata janë duke studiuar edhe mundësi të tjera për të patur një sulmues kalibri për sezonin e ardhshëm.
Një tjetër alternativë që po studiohet me shumë kujdes prej kampionëve të Spanjës është dhe talenti i Bournemouth, El Junior Kroupi. Vlera e tij është po ashtu i “kripur”, plot 130 milionë janë pretendimet e klubit anglez.
Shumë shpejt do të ketë një vendim nga ana e Barcelonës, sa i takon një prej objektivave që duhet realizuar këtë merkato, pas afrimeve të bujshme të Anthony Gordon dhe Karim Adeyemi.
