Sergio Busquets mund të rikthehet shumë shpejt te Barcelona, këtë herë jo si futbollist por si pjesë e stafit teknik. Sipas raportimeve të gazetarit Carlos Monfort, ish-kapiteni i katalanasve ka qenë sot në Barcelonë për bisedime lidhur me një rol si ndihmëstrajner te Barça Atletic.
Mesfushori legjendar, i cili i dha fund karrierës si lojtar vitin e kaluar, thuhet se dëshiron të mësojë profesionin e trajnerit, duke hedhur hapat e parë drejt një karriere të re në pankinë.
Pasi fitoi gjithçka me fanellën e Barcelonës, Busquets e sheh klubin ku u formua si vendin ideal për të nisur këtë kapitull të ri. Nëse marrëveshja finalizohet, rikthimi i Busquets në klub do të shënonte një tjetër rikthim të rëndësishëm të një legjende blaugrana, këtë herë në një rol të ri.
