
Vasil Shkurtaj vazhdon të jetë pa skuadër pas largimit nga Kukësi. Bomberi nuk pranoi rinovimin e kontratës me verlindorët pasi kërkon të nisi një aventurë të re jashtë Shqipërisë.
Në një prononcim për "Supersport", Shkurtaj zbulon se është pranë firmës një skuadër edhe pse nuk zbulon emrat. 28-vjeçari pohon gjithashtu kontaktet me klubet e Superligës si dhe me Tiranën, por këto marrëveshje nuk janë mbyllur me sukses për shkak se edhe dëshira e tij është të luajë jashtë Shqipërisë.
"Po stërvitem individualisht sa kam mundësi edhe pse nuk është njësoj pasi futbollisti duhet të stërvitet me topin. Gjatë kohës që kam qenë në Greqi jam stërvitur e tani që kam ardhur në Shqipëri kam zhvilluar disa seanca stërvitore me skuadrën e Elbasanit që më kanë ndihmuar shumë dhe dua t'I falenderoj".
E ardhmja? "Jam në diskutime me disa skuadra, besoj shumë shumë shpejt do të firmosë me një skuadër. Tirana? Është e vërtetë që kam pasur kontakte me disa ekipe nga Superliga, por nuk kemi gjetur akordin plus edhe dëshira ime siç e kam thënë edhe më përpara është që të luaj jashtë Shqipërisë".
Kukësi? "I kam ndjekur të dyja ndeshjet në Europë dhe jam I lumtur që u kualifikuan. Ndaj Wolfsburgut dihet që diferencat janë shumë të mëdha, por besoj se ngelet një ndeshje pozitive edhe pse humbën".