Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka bërë të ditur edhe vendimet për ndeshjet e javës së 6-të të Kategorisë Superiore dhe javës së 5-të të Kategorisë së Parë.
Vllaznia dhe Erzeni janë dy ekipet të cilat nuk i kanë shpëtuar Disiplinës, ku të dyja janë gjobitur me nga 100.000 lekë. Ndërkohë gjithashtu për sjellje jo sportive ndaj vendimeve të gjyqtarëve të ndeshjes është dënuar me 6 ndeshje pezullim nga aktiviteti zyrtari i Vllaznisë, Artan Brahimaj.
Gjithashtu nuk i ka shpëtuar syrit të rreptë të Disiplinës as Besa e Kavajës që gjobitet gjithashtu 50.000 lekë.
Ja të gjithga vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës:
"KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
Zyrtari i KF Vllaznia, Artan Brahimi, për sjellje josportive ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes në mënyrë të përsëritur, duke hyre në fushën e lojës, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në çdo veprimtari futbollistike të organizuar nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.
KF Erzeni, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
KS Besa, për mos marrjen e masave paraprake te sigurisë, duke neglizhuar përmbushjen e detyrimeve për organizimin e ndeshjes, në bazë të nenit 17/1/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit", thuhet në njoftimin e FSHF-së