
Hajde shkojmë për stadium sot se vjen Elbasani me Bejzaden e Dalipin". "Do shkojmë nesër të shofim Dinamon se vjen si kampione me Jupin e Allmuçen".
"Nesër duhet të shkojmë të shohim Flamurtarin se luan ai golashënuesi, Daniel Xhafaj".
Këto ishin ndër fjalitë e shumta të fillim viteve 2000. Ku të pyesje çdo tifoz në çdo cep të vendit të thonte përmendësh formacionet e gjithë ekipeve të Superligës, e madje edhe ndonjë rezervë "luksi". Po ku janë sot këto emblema që kanë shkruajtur historinë e top këmbës në vendin tonë ?
Dinamo, 18 herë kampione e vendit duket një ekip "jetim". Të lënë në mëshirë të fatit prej vitesh, "nëndetësja" duket shumë larg viteve të arta. Legjendat e viteve të shkuara me Përnaskën, Zërin, Ballgjinin, Demollarin, Markon e shumë e shumë të tjerë janë vetëm një kujtim sa i bukur aq edhe prekës. Tifozët e bluve kanë me çfarë të krenohen në histori, por sot mundet vetëm të "qajnë"
Po ashtu Elbasani i madh i Gogunjes, Duros, Bylykbashit, Dalipit, Dedes është një mirazh i së shkuarës së lavdishme. Sot, shpesh nuk e lënë të luajë as në stadiumin e vet duke e degdisur në periferitë e qytetit. Një traditë tjetër e shuar dhe ndoshta që vështirë se mund të ripërtërihet ndonjëherë.
Kavaja nuk është vetëm qyteti simbol i demokracisë, por edhe qyteti i lojtarëve të talentuar në vite. Rraklli, Lila, Cikalleshi së fundmi që kanë qenë pjesë e kombëtares jane pikërisht të dalë nga ekipi i Besës. E ndërsa realiteti na sjell të hidhurën, me kavajasit që "lëngojnë" në kategoritë inferiore.
Por na ktheni futbollin, atë futboll që kur shkoje në Berat ose kur vinte Tomori nëpër rrethe shikoje spektakël. Ku janë Milet apo Arbërit e rinj nga qyteti i 1001 dritareve ? Epo, beratasit sot i kemi në Kategorinë e Dytë dhe ringritja e tyre duket e vështirë për të mos thënë e pamundur.
E në fund të ndalemi pak tek ata që sot janë me "një këmbë në varr". Flamurtari, ekip historik. Eleminim të Partizanit të madh në Beograd në 1987 ku shënonte një perlë i paharrueshmi, Sokol Kushta. E për të përmendur edhe një bombë të tijën kundër Barcelones. Sot, duket i rënë nga Superliga ku pas Tiranes dhe Vllaznise edhe një emblemë tjetër po përjeton "makthet". Skela dhe Xhafaj të shikonin këtë Flamurtar me siguri do thonin: "Po çfarë po bën o vëlla?"
Atje në qytetin e gurtë të Gjirokastrës futbollin e kanë pasur gjithmonë pasion duke na ofruar shpesh ekipe simpatike. Jo më larg se ai Luftëtar i para 3 sezonesh që shkonte në Europa League dhe që mundte edhe Partizanin 5-0. Sefedin Braho e Lefter Millo janë një krenari dhe fakt se çfarë ka prodhuar Gjirokastra. Për të mos harruar edhe Haxhin apo Bellain. E nesër do i shohim në kategoritë inferiore.
Por na ktheni futbollin edhe njëherë. Se edhe këta që i kemi me Tirane, Vllazni apo Partizan i kemi në gjysëm. Se sot nuk njohim thuajse asnjë ekip në 100 %. Sot tifozët thonë: "ai braziliani", "ai me numër 8-të", "ai që ka luajtur në Bosnje". E dikur i njihnin edhe numrin e këmbës futbollistëve. Na ktheni ikonat, jo me hile dhe favorizme, por me koncept e projekte. Futbolli është thjesht një sport në fund të fundit, por do ishte shumë më i bukur të ishte ashtu siç ka qenë. Me tifozë, entuziazëm, klas dhe rivalitet. / Endri Çinari/