Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

KOMENT/ "Hip se të vrava, zbrit se të vrava", efekti "Olsi Rama" dhe tifozët e Partizanit

Shkruar nga NEWSPORT
KOMENT/ "Hip se të vrava, zbrit se të vrava", efekti

Nga Retin TOKA

Investime, miliona të shpenzuar dhe asgjë në horizont. Partizani vijoi të qëndronte aty, afër titullit, por asnjëherë s'mundi ta prekte. Duhej të vinte drejtori i përgjithshëm Olsi Rama që rrëmuja e "raftit" të klubit të kuq të sistemohej. Fillimisht afrimi i tij në krye të kryeqytetasve u pa me skepticizëm duke u cilësuar si "vëllai i kryeministrit". Ky është një fakt që s'mund të zhbëhej, mirëpo kontributi i tij në klubin e Partizani s'kishte aspak lidhje me detyrën e të parit të "qeverisë".

Zhurma rreth kryeqytetasve u shua si me dorë "magjike" duke krijuar edhe një marrëdhënie fantastike me tifozët e shumtë të kampionëve. Fillimisht u punua për të shkatërruar "çerdhet e vjetra" që prej kohësh ishin strukur në cepat e klubit. Nuk u kursye askush duke bërë mjaft largime në merkaton e janarit të vitit 2017-të, por gjithëkush u konsiderua mik i mirë i të kuqve. Partizani i Olsi Ramës nisi të krijohej në kohën e "Bobit" që dalëngadalë filloi të ulte tonet kundër Federatës Shqiptare të Futbollit.

Me afrimin e drejtorit të përgjithshëm në krye të të kuqve u krijua edhe një "amortizim" i mirë me FSHF-në, teksa deri dje sulmohej në mënyrë permanente. Me vizionin për të folur vetëm në fushë, Rama vendosi "diktatin" në klub duke mos lënë të dilte jashtë familjes qoftë edhe thashethemi më i vogël. Pas përfundimit të atij sezoni, Sulejman Starova vijoi të mbeste një mik i mirë, tifoz i thekur për të kuqtë, por kishte ardhur koha për ndryshim.

Një tropojan, një njeri i vendosur, kampioni Skënder Gega u paraqit në kryeqytet pa shumë bujë për të zëvendësuar "Bobin". Si në çdo lëvizje në kampionatin shqiptar, skepticizmi ishte i pranishëm.

"Ai ka drejtuar vetëm skuadra amatore; ai ka qenë trajner femrash në Amerikë, s'është për Partizanin", këto ishin fjalët e para për Gegën që së bashku me Olsi Ramën zgjodhën të buzëqeshnin duke ia lënë gjithçka fushës. Përgjigja më e mirë për të dy ishte koha që kalonte. Trajneri i ri, por edhe drejtori gjithmonë deklaruan se Partizani do i merte sfidat një nga e një. Projekti ishte afatgjatë dhe titulli ishte gjëja e fundit e menduar. Grupi më i bashkuar se kurrë, familja e madhe e kuqe më e lumtur se asnjëherë.

Zhurma e madhe e tifozërisë dhe dëshira për një titull kampion ishin ndërthurur bukur me qetësinë e Olsi Ramës për të ecur hap pas hapi, javë pas jave drejt ëndrrës që vazhdonte prej 26 vitesh. Asgjë s'i shpëtonte drejtorit të Partizanit që pas 36 javësh me "Nerin" arritën të rikthenin titullin kampion.

Siç ndodh në Shqipëri kur je mirë, lëvdatat ishin për të dy: "Bravo u qoftë; Kështu punohet; S'ka numra me Olsin" e shumë fjalë të tjera që ishin pro Gegës e drejtorit. Panelet sportive "shpërthyen" në urime. Deri aty kishte funksionuar gjithçka mirë.

Zakonisht në vendin tonë, kur je mirë të ngrejnë në piedestal, kur kalon një moment negativ, çdokush është aty për shkelmin e fundit. Bashkë me titullin kampion, u vendos që të largohej edhe Skënder Gega. Askush veç atyre të dyve s'e dijnë arsyen e vërtetë e divorcit me kampionët. Ka ndërhyrë në formacion, s'ka ndërhyrë në formacion, pak rëndësi kanë fjalët e njerëzve. Ata punuan si një familje dhe në fund vendosën që të ndaheshin si dy njerëz të afërt ku gjithçka ta linin mes tyre.

Nëse tifozët vraponin të parët gjithmonë për të mbështetur skuadrën, edhe këtë herë e patën një përgjigje: "Kushedi, punë pazaresh". Cilësia e të kuqve sipas analistëve ishte dhe mbetet për t'u duartrokitur. Pas largimit të Gegës, afrimit dhe shkarkimit të Franco Lerdës situata te kampionët s'ka qenë më e njëjtë.

Lojtarët janë njësoj, ata të TITULLIT, por duket se mungon dikush që t'i bashkojë siç bënte "Neri" me Olsin. Një "puzzle" i madh është krijuar në klubin e Partizanit, me siguri që drejtori i përgjithshëm është i pari që mund ta formojë brenda pak minutash, nëse do gjithmonë. Por situata është trazuar keq.

Tifozët në rrjetet sociale shprehen kundër Olsi Ramës dhe bashkëpunëtorëve. Megjithatë ai ka treguar së është nga ata që është i sigurtë se ka të drejtë dhe nuk debaton asnjëherë me ata që e kanë gabim. Një titull kampion pas 26 vitesh e "futi në xhep". Siç ka thënë edhe Marcello Marchesi ndonjëherë suksesi bën sukses, por ndonjëherë edhe skandal. Megjithatë suksesi nuk ka sekrete. Ai është rezultat i përgatitjes, punës së vazhdueshme dhe mësimeve nga gabimet.

Fillimisht ishte "Hip se të Vrava!" U ngjit, qëndroi dhe ia doli. Tashmë është shndërruar "Zbrit se Vrava!" Përvoja jetësore ka treguar se e keqja fillon e lëshon rrënjë kur dikush mendon se është më i mirë se një tjetër. Faktet flasin, Partizani është kampioni në fuqi dhe 5 pikë nga kreu i tabelës mbeten vetëm aq... /Newsport.al./

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga