Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

KOMENT/ HALILI dhe LAÇI të vetëm përballë të gjithëve, 7 pikë dhe fenomeni "DOKA"

Shkruar nga NEWSPORT
KOMENT/ HALILI dhe LAÇI të vetëm përballë të

Dje, Tirana fitoi kundër Kukësit, ndeshje e vlefshme për javën e 21-të të Superiores. Bardheblutë arritën të triumfonin falë një goli të shënuar nga mbrojtësi i djathtë Albi Doka. Ky i fundit nderoi 24-herë kampionët e vendit, kur në minutën e 86-të ndëshkoi verilindorët duke shtangur të gjithë të pranishmit në stadiumin e Kamzës.

Në një ndeshje mjaft të bukur, skuadra e drejtuar nga Ardian Mema tregoi edhe një herë që cilësitë në ekip janë prezente, thjesht duhej dikush që ia njeh mirë vlerat bardhebluve për t'ia shpalosur. Para nisjes së gjysmës së dytë të këtij sezoni futbollistik, të gjithë ishin skeptikë pasi Tirana afroi në merkaton e dimrit vetëm mbrojtësin Jurgen Goxha. Madje edhe vetë trajneri Ard Mema deklaronte nëpër prononcime për shtyp se ia kishte bërë të qartë drejtuesve lojtarët që dëshironte.

Nga ana tjetër presidenti Refik Halili ishte i bindur në forcën e skuadrës së tij dhe ndeshje pas ndeshje shprehej se lojtarët aktualë kanë cilësi. Por, për t'i dhënë më shumë doza optimizmi ekipit dhe si për të sfiduar gjithë skeptikët, ishte Arbi Laçi. Drejtori sportiv i bardhebluve prej fillimit e deri më sot ka marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë për situatën që ka kaluar skuadra.

Megjithatë kurrë s'është ndalur së thëni: "Skuadra ka brumë, ka cilësi. Unë jam i bindur në aftësitë e këtij ekipi. Nuk mendoj mbijetesën, por në bindjen time do të arrijmë më shumë se kaq", duke treguar se objektivi i 24-herë kampionëve të vendit është Europa. Nga këto deklarata ka pasur shumë nga ata që kanë qeshur, ka pasur edhe nga ata që kanë thënë: "Po, po rrugës është", duke e ilustruar me ironi edhe vitin 2017, ku bardheblutë zbritën në një kategori më poshtë.

Të gjithë kanë kritikuar, të gjithë janë turrur për të "masakruar" drejtuesit, që sipas tyre nuk kanë bërë siç duhet punën. Por, kur i përmendje lojtarë si Erion Hoxhallari, Albi Doka të cilët janë nën radarët europianë, të gjithë thonin: "Kështu është kur të hipën vetja në qef", duke u munduar në çdo moment për të vënë shkelmin e fundit.

Në fakt ndeshjet e fundit kanë treguar se ngërçi psikologjik i iniciuar nga trajneri Ze Maria ka qenë aq i madh, saqë çdokush do ta kishte të vështirë të rimëkëmbëj. Natyrshëm lind pyetja: Pse vallë, dje, të gjithë ndryshuan mendim? Asgjë s'ka ndryshuar në skuadër. Lojtarët janë të njëjtët, stafi teknik njësoj, drejtuesit po të njëjtit... Mjafto të merrje telekomandën e televizorit dhe në çdo emision sportiv mund të dëgjoje të flitej me superlativa për skuadrën e bardhebluve.

Vallë gjithë atë jehonë ia dha Kukësi? Me siguri të gjithë e dinë se fanela e Tiranës peshon shumë dhe ndofta para 10 vitesh, edhe verilindorët bënin tifozllëk me 24-herë kampionët e vendit sepse elita konsiderohej një ëndërr. Punë e mrekullueshme nga stafi teknik, ku një Ngoo të pabindur e shndërruan në më të mirin e Superiores. Albi Doka, nga djaloshi i pub-eve sipas tifozëve, tashmë është kthyer në një nga motorrët më të rëndësishëm që vë në lëvizje makinerinë e rëndë, Tiranën e kryeqytetit.

Optimizmi në skuadër është prezent, por të gjithë qëndrojnë me "këmbë në tokë". Shkodrani Edon Hasani ka nisur "flirtin" me tifozët sepse tashmë s'mund të fshihet më simpatia e tyre për lojtarin që ka ndryshuar "look"-un e mesfushës bardheblu. Nga ana tjetër, presidenti Refik Halili që ka dhënë gjithçka për këtë ekip, me siguri është i lumtur, por që nuk preferon euforinë. Ekipi ka ende punë. 15 javë për të mbyllur këtë sezon të shumë-përfolur.

Arbi Laçi është aty duke studiuar dhe punuar me mjaft kujdes me çdo detaj në klub. Natyrisht buzëqeshja e tij ironike nuk do të mungojë, por sigurisht në natyrën e tij vlen shprehja: "Qesh mirë, kush qesh i fundit". Është kritikuar kaq shumë për merkaton e bërë në verë, ndërsa sot të gjithë janë me një mendim të përbashkët: "Michael Ngoo "mistreci" është sulmuesi më i mirë i Superiores".

Tashmë s'mbetet gjë tjetër, të presim fundin e muajit maj. Drejtuesit bardheblu apo mediat, kush do të buzëqeshë në fundin e këtij edicioni? Fakt mbetet që shtypi shkon sipas "erës", kur je mirë të çon në piedestal, kur kalon një moment të vështirë, përpiqet të të shtyjë në greminë. 7 pikë në tre ndeshje, nota 10. Probleme financash, probleme me lojtarë, probleme e probleme, të paktën kështu është thënë...

Por, "problemi" më i madh tashmë është në fushë për kundërshtarët. E para e provoi Kamza, Teuta për titull u ndal në barazim dhe dje "gjunjët" e verilindorëve u "prenë" në stadiumin e kamzalinjve. "Fjalët e shumta janë fukarallëk", thotë një shprehje e urtë që me sa duket ka gjetur zbatim nga ana e drejtuesve të Tiranës që kanë preferuar të heshtin duke mos bërë premtime. Punët e mira bëhen dalëngadalë, ndeshjet luhen njëra pas tjetrës... /Retin TOKA/

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga