
Futbolli është sporti më popullor dhe më i ndjekur në botë, duke i bashkuar njerëzit, por kurrësesi për t'i bërë ata që ta çojnë situatën deri aty sa të plaset edhe sherri. Për fatin e keq kjo ndodh në vendin tonë. Shpesh këtë jemi mësuar ta shohim edhe në Superiore, por duhet theksuar se në kohët e fundit, në elitën e futbollit shqiptar, këto fenomene nuk po ndodhin më dhe lojtarët kanë krijuar një harmoni mes tyre, edhe pse në fushë janë kundërshtarë dhe japin maksimumin për fanellën që mbajnë veshur.
Diçka të tillë, për fat të keq nuk po e shohim tek ekipet e moshave, sidomos me ngjarjen e fundit që është një episod shumë i shëmtuar në ndeshjen Internacional - Shënkolli, për moshat U17-të. Në këtë takim u nxorën 4 kartona të kuq dhe lojtarët u goditen me grushta mes tyre.
Çdo djal i vogël, sapo bie në kontakt me topin, dashurohet me të dhe ëndërron që kur të rritet të bëhet futbollist. Po ashtu edhe prindërit, që me patjetër duan që djali i tyre të jetë i parë nga të gjithë, dhe nuk pranojnë në asnjë moment që kur fëmija i tyre kur aktivizohet me moshave të zëvendësohet. Në fakt, diçka e tillë është e vështirë të mos ndodhë, sepse për të qenë i pazëvendësueshëm, duhet të jesh fenomen. Përveç kësaj, në fushën e lojës mund të luajnë vetëm 11 lojtarë, edhe nëse të gjithë janë shumë të mirë, në tapetin e blertë zbresin vetëm 11 veta.
Vihet re, që në vendin tonë, prindi e ka të vështirë që fëmija i tij të ulet në stol, por kërkon me patjetër që të jetë në fushë. Në këto raste veprohet me dy mënyra. Ose prindi e nxit fëmijën e tij të stërvitet më shumë, për t'u aftësuar më tepër, e për të zënë një vend në formacion dhe kjo është një mënyrë shumë edukuese dhe shembullore. Ka edhe një mundësi tjetër, që nuk pëlqehet aspak, por herë pas here faktet tregojnë se ndjekësit e kësaj metode janë goxha të lartë. Kur prindi sheh që me fëmijën e tij nuk shkon diçka, më mirë preferon të zbresë në fushë dhe të tentojë për të goditur këdo që i del përpara.
Po si mund të hidhesh në fushë dhe të godasësh prindin e fëmijës kundërshtar? Kjo është e çuditshme, që i ul vlerat këtij sporti. Në fund, nuk fiton askush, por merren vetëm dënime, dhe ndoshta në këtë rast rrezikohet që edhe fëmija të mos ketë më ambicien dhe dëshirën për të luajtur në fushë, pa shtuar këtu edhe penalizimet që jepen nga Komisioni i Disiplinës.
Futbolli është sporti ku gjithçka fitohet me punë, duke djersitur fanellën dhe jo duke përdorur forcën për të goditur tjetrin. Kjo është një medotë që prindërit, të cilët ndjekin nga afër fëmijët e tyre, të tregohen më të përgjegjshëm për veprimet që bëjnë, sepse si pa dashur, e pa kuptuar, janë një element që i heqin vlera këtij sporti dhe bëjnë që në vendin tonë, në qendër të vëmendjes të jetë dhuna dhe jo spektakli dhe shpirti i garës.
/Newsport.al/