Kombëtarja shqiptare ka nisur ditën e sotme (e hënë 13 nëntor) grumbullimin për ndeshjet e muajit nëntor, ndaj Moldavisë në transfertë dhe Ishujve Faroe në “Air Albania”. Këto sfida janë të vlefshme për kualifikueset e Euro 2024.
Në stërvitjen e parë, Kombëtarja A dhe ekipi i U-21 janë bashkuar duke kryer një seancë stërvitore të përbashët së bashku me trajnerët, Sylvinho dhe Alban Bushi.
Deri më tani në Shtëpinë e Futbollit në FSHF nuk janë bashkuar të gjithë lojtarët në grumbullim. Mitaj pritet që të mbërrijë rreth orës 19:00, ndërsa Berisha, Daku dhe Kastrati pritet që të vijnë më vonë. Në krahun tjetër, mesfushori Qazim Laçi është rrugës për në grumbullim dhe nga momenti në moment pritet të bashkohet me grupin.
Përsa i përket Kristjan Asllanit, mesfushori i Interit po kryen stërvitje të diferencuar për shkak se nuk është në gjendje optimale për tu stërvitur me grupin.
Kujtojmë që i vetmi ndryshim i bërë në listë nga Sylvinho, nga lista paraprake është Jon Mersinaj, i cili zuri vendin e të dëmtuarit, Arlind Ajeti.