
Shqipëria U-19 do të zhvillojë ndeshjet e radhës në Grupin 4, ndërsa trajneri Arjan Bellaj ndjehet mirë që këto takime do të luhen në Shqipëri. Ndeshjet do të zhvillohen në "Selman Stërmasi" dhe "Niko Dovana", teksa trajneri ka thirrur lojtarë cilësorë për këto takime.
"Është fat dhe mbi të gjitha përgjegjësi që ndeshjet luhen në Shqipëri. Skuadra ka lojtarë cilësor dhe me karakter të mirë dhe kjo na jep besim për paraqitjet në fushë".
"Grupin e kemi parë dhe studiuar që prej hedhjes së shortit. Ne po punojmë vetëm për ndeshjen e parë ndaj Irlandës dhe për momentin nuk mendojmë për kundërshtarët e tjerë. Synimi ynë në këto kualifikuese është i qartë, kërkojmë të kualifikohemi".
"Ne, në Kombëtaret e moshave punojmë mbi të gjitha në shërbim të ekipit të parë. Lojtarët tanë furnizojnë përfaqësuesen Shpresa, për të synuar më pas ekipin e parë. Kjo është kënaqësia e punës tonë, të shohim që në dy edicionet e fundit, dhjetëra lojtarë të rinj të kenë kaluar në skuadrën e 21-vjeçarëve".