
Pas një pauze prej afro 1 muaji e gjysmë, Federata Shqiptare e Futbollit me kompetenca të deleguara te ashtëquajtura Ligë Profesioniste, vendosi të niste sezonin e ri futbollistik. Pikërisht kjo do të ndodhë me takimet e Kupës së Shqipërisë. Më të fituarit në këtë mes duken se janë sportdashësit që në këtë periudhë të vështirë të pandemisë mund të dëfrehen disi duke ndjekur nga televizori ndeshjet e kampionatit shqiptar.
Megjithatë pas një sezon pushimesh "luksi" klubet shqiptare janë ato që do të vuajnë më shumë. E pikërisht vështirësia ka nisur prej ditës së djeshme. Ndryshe nga herët e tjera nuk pati një short për t'u bërë publik për sportdashësit, por çiftet janë mësuar nga telefoni për klubet pjesëmarrëse. Veç kësaj, të gjithë duhet të shpejtojnë për të gjetur një fushë ku do të luajnë pasi stadiumet elitare në vend në këtë periudhë po rikonstruktohen.
Partizani është degdisur në Librazhd, Tirana luan në Skënder Halili, Kukësi aty ku stërvitet, në "Football Republic". Presidenti Duka e tha hapur dje se rëndësia e Kupës s'është e madhe, por edhe "Sunday League" duket se ka më shumë seriozitet se ky kompeticion që në fund vlen disa miliona lekë...