
Data 3 qershor është vendosur nga Federata Shqiptare e Futbollit si dita kur do të rinisë Kategoria Superiore. Prej më shumë se 1 jave skuadrat kanë zbritur në fushë duke u përgatitur fizikisht, por edhe taktikisht. Lojtarët po presin me padurim të rinisin aktivitetin e tyre, mirëpo qeveria ende s’ka thënë fjalën e fundit nëse do të lejojë ose jo rifillimin e futbollit.
FSHF-ja i ka çuar një letër zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë ku kërkon një përgjigje për të startuar ose jo, por akoma mbeten në pritje pasi s’ka një përgjigje. Ashtu si javë më parë ku skuadrat kishin “ngrirë” për shkak se Ministria e Shëndetësisë nuk lejonte stërvitjen në grupe, e njëjta situatë duket se është edhe tani me rifillimin e futbollit. Pritet të shihet këto ditë nëse do të ketë një përgjigje zyrtare, pasi kampionati rinis të mërkurën e javës së ardhshme.