Partizani arriti të fitonte në frymën e fundit përballë Teutës të cilët i mposhti me golin e Kekos në fundin e ndeshjes. Të kuqtë marrin 3 pikë të arta dhe barazojnë me pikë Egnatian në krye të renditjes. Pas ndeshjes, drejtori në rolin e trajnerit, Arbër Abilaliaj, dha prononcimin e tij për MCN TV.
“Trajner apo drejtor? E rëndësishme është fitorja. Ne na mungonte pak mentaliteti dhe po e krijojmë me fitore të rëndësishme. Paraqitjet e fitoret në seri bëjnë që ekipi të rritet.
Fitova me lojtarët e stolit? Nuk do e thoja këtë. Kemi bindje në vetëvete pasi kemi qenë të detyryar nga mungesat. Disa lojtarë nuk luanin dot të gjitha minutat. Kemi lojtarë shumë të mirë, të uritur dhe agresiv. Fituam me meritë të futbollsitëve pasi në çdo ndeshje besojmë deri në minutën e fundit dhe shpresoj të vazhdojmë kështu.
U munduam në pjesën e parë të punonim ndryshe në krahun e Carës dhe ndryshe në atë të Taipit. Teuta e pati të vështirë të krijonte raste. U dhanë shumë faulla që s’i kuptoja. Me vjen keq që arbitri mundohet të cungojë lojën, kartonat nuk ishin aty ku duhen. Me hyrjen në fushë të fuqive të reja arritëm të ishim më agresiv dhe në fund, fati na buzëqeshi ne.
Kur skuadrat mbrojnë me bllok poshtë, ashtu zbriste edhe Teuta. Nëse topi nuk lëviz me shpejtësi e nëse nuk je i saktë në shërbim, bëhet e vështirë. Lufta ishte e fortë për topin e parë dhe të dytë. Më pas në pjesën e dytë ishte panoramë komplet tjetër.
Albers Keko? Kënaqësi ta shohësh si stërvitet gjatë javës. I japim besim dhe potenciali i tij para portës është i jashtëzakonshëm. Ai është një nga sulmuesët që e godet portën më mirë. Duhet t’i bëjë të gjitha elementët bashkë që të jetë titullar. Titullar ishin futbollistë 21-22 vjeç, përveç Albanit.”