
Kategoria Superiore do të rikthehet të luhet ditën e nesërme pas dy muajsh e gjysmë ndalesë prej pandemisë së Covid-19. Tirana ka në program ndeshjen e radhës ndaj Bylisit në Ballsh, por ky takim është vënë seriozisht në rrezik.
Duke parë që shkodrani I Bylisit, Qardaku ka rezultuar pozitiv gjithçka është vënë në pikëpyetje. Ditën e sotme në konferencë për shtyp ka folur trajneri I Tiranës, Emanuel Egbo. Numri një I pankinës bardheblu u shpreh nëse disa lojtarë të Bylisit do të rezultojnë pozitiv ndeshja nuk duhet zhvilluar edhe pse FSHF-ja nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
Një futbollisti i Bylisit i infektuar? “Po presim vendimin e Federatës për ndeshjen e nesërme. I janë bërë teste të gjithë ekipit, më pas do të shikojmë si do të veprojmë. Kështu që presim deri në momentin e daljes së rezultateve. Edhe lojtarët do të kenë pak frikë, mund të jetë takuar me të gjithë, duhet kontroll që mos të përhapet. Këtë frikë kishim të gjithë: çfarë do të ndodhë nëse infektohet një lojtar”.
Titulli kampion? “Do të shohim nesër se kush është 100% gati për të luajtur. Çdo ekip ka mendimet e veta. Nuk shikoj ekipet e tjera, ne shikojmë punën tonë. Lojtarët e dinë që janë edhe 30 pikë në lojë, ka 10 ndeshje. Zoti do të na udhëheqë, ne do të jemi mbrapa tij.
Në momentin që do të sigurojmë matematikisht titullin, atëherë do të themi se Tirana ka dalë kampion. Për deri sa janë 30 pikë në lojë, do të luftojmë deri në fund. Çdo ndeshje për ne do të jetë si një finale. Ju kam thënë çunave dhe ata e dinë, duhet të jemi me këmbë në tokë”.
Frikë nga Covid-19? “Frikë nuk duhet të kemi, por duhet të jemi të kujdesshëm. Do presim rezultatet e testeve. Në qoftë se do të dalin negative, nuk do të kemi frikë, po dolën pozitivë, besoj se ndeshja nuk do të zhvillohet. Nuk ka shanse të luhet po dolën shumë lojtarë pozitivë. Federata dhe klubet do të vendosin, të presim rezultatet”.
Paga e FSHF-së? “E kanë marrë lojtarët. Falënderoj Federatën për gjestin, është gjest human. Lojtarët në kategori më poshtë, i ka ndihmuar edhe më shumë. Forma e futbollistëve? Kemi komunikuar, por tani para se të fillojë stërvitja, do të komunikoj sërish me ta dhe do të shoh gjendjen e tyre”.