Presidenti I Tiranës, Refik Halili ishte dje I ftuar në Procesin Sportiv. Numri një I bardhebluve ka cekur disa tema në lidhje me skuadrën, ndërsa nuk ka lënë pa përmendur edhe një ofertë konkrete që ka ardhur në drejtim të të riut Ernest Muçi, që ka treguar vlerat e tij në sulmin e kryeqytetasve.
Halili ka theksuar se nëse vjen konfirmimi I ofertës së mbërritur atëherë lojtari do të shitet, me shumën e mbi 500 mijë eurove. Prej kohësh fidanishtja e Tiranës po rrit talente me vlerë, ndërsa Muçi nuk është I vetmi nga bardheblutë që kërkohet nga klube të huaja. Duket sikur politikat e Tiranës janë në binarë, me bardheblutë që janë drejt titullit kampion duke kryesuar tabelën të shkëputur 9 pikë nga ndjekësi më I afërt.
“Deri tani kemi pasur një ofertë për Muçin dhe nëse do të vijë edhe konfirmimi zyrtar atëherë do ta japim. Për hatër të marrëveshjes nuk mund të flas për emra konkret. Shifra e kalimit do jetë mbi 500 mijë euro”, u shpreh Refik Halili.