Kategoria e Dytë, më saktësisht Grupi A, ka qenë mjaft interesant në 7 javët e para. Megjithatë, surprizues është udhëheqësi i këtij grupi, skuadra e Shirokës, e cila po “çmend” rivalët.
Pas 7 ndeshjeve të para, ekipi i Shirokës mban vendin e parë me 18 pikë, 2 më shumë se ndjekësi më i afërt, Besëlidhja dhe 5 më shumë se vendi i 3-të, Sopoti. Pavarësisht se dy ekipet e fundit kanë investuar shumë më shumë se Shiroka, duket se puna me djemtë besnikë po jep “frytet” e veta.
Diçka të tillë, e treguan edhe sot në transfertë përballë Erzenit, ekip i cili dy vite më parë militonte në Superiore. Shiroka fitoi 0-1, me gol të Vucajt.
Por jo vetëm kaq, pasi “Hirushja” e Kategorisë së Dytë ka shënuar plot 13 gola deri më tani. Ndërsa golat e pësuar, vetëm 3, tregojnë forcën e këtij ekipi edhe në mbrojtje. Një nisje mjaft e mirë për Shirokën, e cila duket të jetë në rrugën e duhur drejt ngjitjes në Kategorinë e Parë.

