Humbja e Bylisit përballë Vorës, solli rënien e ballshiotëve në Kategorinë e Parë. Por në atë kampionat gjatë sezonit të ardhshëm do të militojë edhe Bylis B, teksa pritet vendimi zyrtar mbi këtë “përplasje”.
Në krahun tjetër, klubi i Butrintit që u mposht nga Bylis B në finalen e “play-off” për ngjitje në Kategorinë e Parë, pretendon se janë ata që marrin vendin e ekipit B të ballshiotëve.
Akoma pa u marrë një vendim zyrtar nga institucionet kopetente, klubi sarandiot e ka bërë fakt të kryer ngjitjen një Kategori më lart, pra në atë të parën.
POSTIMI:
Klubi dëshiron të përshëndesë dhe të falënderojë të gjithë sportdashësit, tifozët, qytetin dhe çdo person që ka qenë pranë ekipit gjatë këtij sezoni të jashtëzakonshëm.
Rezultati i fundit që solli humbjen e ekipit të Bylis dhe fitores se djeshme te Bylis B i hapi rrugë ngjitjes së K.F. Butrinti në Kategorinë e Parë !Nje moment historik për klubin tonë, për qytetin e Sarandës dhe për gjithë komunitetin dashamires sportiv që ka besuar tek kjo skuadër.
Kjo arritje është fryt i punës, sakrificës dhe përkushtimit të futbollistëve, stafit teknik, drejtuesve dhe çdo mbështetësi që nuk reshti së besuari në objektivin tonë. Sezoni ka qenë i gjatë dhe i vështirë, por ekipi tregoi karakter, dinjitet dhe ambicie deri në fund.
Ne respektojmë çdo kundërshtar dhe vlerësojmë garën sportive të zhvilluar gjatë gjithë kampionatit. Futbolli duhet të mbetet gjithmonë një arenë meritokracie ne fushen e blerte , respekti dhe emocionesh sportive.
Sot është një ditë krenarie për Sarandën dhe për ngjyrat e K.F. Butrinti. Ky sukses nuk është fundi i rrugëtimit tonë, por fillimi i një kapitulli të ri me më shumë përgjegjësi dhe objektiva më të mëdha.
Faleminderit të gjithëve për mbështetjen. Forca Butrinti! Shihemi atje ku e meriton ky qytet!
