Bylis B ka triumfuar përballë Partizanit B, në ndeshjen e vlefshme për “play-off” e Grupit B të Kategorisë së Dytë. Sfida e zhvilluar në fushën e Akademisë së Bylisit, përfundoi 3-2.
Golin e parë për ballshiotët e shënoi Ibrahim Akibu, në minutën e 18-të të sfidës. Ndërsa për të tundur rrjetën për herë të dytë, mendoi Ribeiro Almeida, në minutën e 65-të.
Ndërkohë, në minutat e fundit filloi spektakli, pasi dy ekipet mbeten me nga 10 lojtarë, pasi për Bylisin u ndëshkua me karton të kuq Gabi, ndërsa për të kuqtë e “pësoi” Bakalli.
Vetëm pak sekonda më vonë, Partizani B shënoi dy herë me Ballën dhe Gogën, duke ndezur shpresat e përmbysjes. Por në “frymën e fundit”, Deliu i Bylisit mbylli gjithçka, duke çuar shifrat në 3-2.
Kështu, Bylis B shkon më tej për ëndrrën drejt Kategorisë së Parë. Në fazën tjetër, ballshiotët do të përballen me Butrintin.
