Bashkia e Lushnjës ka dështuar në përpjekjen për të privatizuar klubin e Lushnjës, pasi ankandi për shitjen e 70% të aksioneve të klubit përfundoi pa asnjë ofertë.
Paketa e aksioneve ishte nxjerrë në shitje me një vlerë fillestare prej rreth 9.8 milionë lekësh të reja, por mungesa e interesit nga investitorët konfirmoi vështirësitë e mëdha që po kalon klubi.
Mosinteresimi lidhet ngushtë me situatën sportive dhe financiare të skuadrës, e cila sezonin e ardhshëm do të militojë në Kategorinë e Dytë. Për një investitor të mundshëm, blerja e aksioneve do të shoqërohej me kosto të konsiderueshme operacionale.
Ndërsa mungojnë burimet e rëndësishme të të ardhurave si të drejtat televizive, sponsorët e mëdhenj apo përfitimet nga infrastruktura, e cila mbetet në pronësi të pushtetit vendor.
Pas dështimit të ankandit, Bashkia pritet të rishpallë procedurën e privatizimit dhe nuk përjashtohet mundësia që të ulë pretendimet financiare për paketën e aksioneve, në përpjekje për të tërhequr investitorë dhe për t’i dhënë një tjetër shans ringritjes së klubit historik.
