
Besa e Kavajës dhe Lushnja kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 5-të të Kategorisë së Parë. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Luz i Vogël”, përfundoi me shifrat 1-1. Në përfundim të këtij dueli, ka folur trajneri i kavajasve, Shpëtim Duro.
“Këtë detyrë e mora përsipër jo me shumë dëshirë, pasi kampionati kishte filluar, merkato kishte mbaruar. Nuk e njihja skuadrën të them të drejtën, por përsëri sulmuesi kryesor nuk shënon e pastaj pësojmë gola në mënyrë amatoreske. Padyshim ka, edhe problemi psikologjik është, por ka edhe problem merkatoje, disa lojtarë janë në limite dhe kjo shfaqet herë pas here edhe në fushën e lojës.
Ndërrova lojtarë sepse mendova që sulmuesi kryesor ishte i vetëm dhe futa një tjetër, që normalisht nuk është ne qendër por në krah. E hodha që të bënte presion te qendrat. Pastaj edhe tensioni është, se pashë disa futbollistë në pjesën e dytë, në momentet më të mira tonat, bëjnë gabime elementare në pasime. Nga kjo bie rendimenti i skuadrës kur një lojtar bën gabime në tre pasime, mblidhen të gjitha në anën emocionale e psikologjike. Kjo tregohet nga fakti që kemi shënuar në të tre ndeshjet, skuadra luan e të gjitha por shoh që nuk ka besim për të fituar ndeshjen.
Lushnja qëndronte te gjysmëfusha e saj, luante dhe sulmonte me topa të gjatë për të na kapur në befasi. Ne ishim më mirë, mund ta mbyllnim kur ishte 1-0, kishim 3 raste të pastra për të mbyllur lojën. Unë një sulmues kam, Çinedu përtej eksperiencës që ka, ka 5 ndeshje që pavarësisht lojës nuk shënon gol. Dhe kur sulmuesi nuk shënon gol, dihet përkthimi.
Situata është e vështirë, nuk më ka ndodhur asnjëherë që të mos bëj ndryshim sa i përket rezultateve, edhe kur kam marrë ekipin në mes të sezonit, është hera e parë që më ndodh. Unë isha shkëputur tre vite, edhe skuadrën nuk e njihja mirë, janë lojtarë që i kam futur sot për herë të parë, se nuk i kam parë më parë. Janë vështirësi, është situatë e komplikuar edhe me kundërshtarët se edhe ardhja pa limit e të huajve nuk të lejon të përgatitësh mirë ndeshjen se nuk ke njohuri 100% për kundërshtarin. Situata është e vështirë, por të shohim si zhvillohen ngjarjet. Unë e kam marrë këtë detyrë, nuk e kisha në plan, por insistimi i presidentit, se kur nuk e ndërton skuadrën vetë, dalin problemet. Po, ka probleme të jashtëzakonshme të kualiteteve, e ka pranuar edhe presidenti vetë për merkaton, se janë larguar pika të forta e nuk janë zëvendësuar. Skuadra ka luajtur, por kur nuk ke sulmues goli…”, tha ndër të tjera Duro.