Laçi ka fituar në transfertë përballë Lushnjës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të të Kategorisë së Parë. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Roza Haxhiu”, përfundoi 0-1. Pas këtij dueli ka folur edhe trajneri i lushnjarëve, Artan Bano.
“Akoma nuk po kalon presioni, shumë e vështirë. Po punojmë shumë para portës. Më vjen keq, sot ishte ndeshje shumë e fortë pa shumë episode, më tepër dyluftim. Me një gjuajtje në portë ndëshkohemi si me Burrelin. Ka disa momente që ekipi shumë mirë. Ndoshta nga presioni i publikut, i pikëve. Nuk e meritonim të humbnim, ky është futbolli. Ekipi po përgjigjet. Janë metrat e fundit, që duhet gjakftohtësi dhe përgjegjësi e madhe. Ne punojmë me sulmuesit, përgjegjësia është e imja, ju vetëm gjuani portës dhe nëse shkon jashtë kam thënë. E dimë pozicionin që kemi në tabelë, dimë që përgjegjësia shumë e madhe dhe publiku kërkon shumë nga ne. Duhet ta interpretojmë dhe të dalim nga kjo situatë e pakëndshme.
Trajneri mendon për 94 minuta. Peqinin mund ta fusnim dhe nga minuta e parë, por Laçi ka ekip të fortë. Është ekip i ekuilibruar mirë, është tamam Superlige. Ka ritëm shumë të lartë, nuk është se ka ritmin e Korçës. Të shikosh Skënderbeun dhe Laçin, Laçi është ekip shumë i shpejtë dhe fortë. Kanë karakter të fortë, menduam për 4-2-3-1. Pastaj 4-4-2. Pjesa e parë ndoshta kishte moment emocional nga futbollistët, duke pasur parasysh renditjen. Thamë do japim gjithçka për gjithçka, por nuk do prishim ekuilibrin mbrapa. Fati nuk ishte me ne. Gati fotokopje e ndeshjes me Burrelin. Për 12 pikë të mundshme, të marrësh 4 është fatkeqësi. Futbollistët duhet të kërkojnë ndjesë ndaj publikut për rezultatet, jo për karakterin në fushë”, tha Bano.
