Laçi ka fituar në transfertë përballë Lushnjës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të të Kategorisë së Parë. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Roza Haxhiu”, përfundoi 0-1. Pas këtij dueli ka folur edhe trajneri fitues, Naci Sensoy.
“Erdhëm, pamë dhe fituam. Nuk jam i kënaqur me kualitetin e lojës, por rezultatin jam i kënaqur. E dija se ndeshje e vështirë në anën psikologjike. Lushnja kishte humbur ndeshjen me Burrelin, tani ndeshja e dytë në vendin e vet me humb bëhej kriza. Ne jemi mbrojtur mirë, nuk e lamë kundërshtarin të krijonte raste të pastra. Kishin iniciativë, sidomos në pjesën e dytë, por topa të gjatë dhe stil jo të organizuar. Bëmë shtatë fitore radhazi, jam i kënaqur me rezultat, por jo me lojë. Laçi që kërkon të dalë në Superligë, nuk meriton të luajë kështu. Duhet edhe kualiteti i lojës të ngrihet më lart.
Para meje, Tresa nuk ka luajtur si sulmues. Traore ka luajtur. Ndërruam sistemin e lojës. Tresa më shumë si sulmues, në tranzicion po shfrytëzojmë shpejtësinë e tij dhe Traore 4-4-1-1. Po na ecën ky si sistem. Jemi gati si staf, e kemi eksperiencën të ndërrojmë sistemet. Momentalisht po shkon puna mirë. Kam moshën mesatare shumë të ulët dhe jam i lumtur, kanë energjinë, por jo disiplinën dhe eksperiencën taktike. Do punojmë shumë, ma merr mendja që çdo ditë do jetë dhe taktikisht e pjekur skuadra ime. Sa më tepër i ikim Pogradecit, aq më shumë i afrohemi Skënderbeut. U kam thënë lojtarëve jo me ik Pogradecit, por edhe kapim Skënderbeu. Logjikisht atëherë do i ikim Pogradecit, kjo është parulla jonë”, tha Sensoy.
