Kategoria e Parë mbylli javën e 7-të të saj, teksa tashmë ekipet kanë nisur të “konsolidojnë” vendet e tyre në tabelën e klasifikimit. Skuadrat e kreut kanë arritur të bëjnë siç duhet “detyrat” e shpisë. Bylis fitoi me shumë vuajtje ndaj Vorës. Ballshiotët triumfuan 3-2 dhe tashmë “blindojnë” vendin e parë në klasifikim me 19 pikë.
Me 3 pikë më pak vjen Elbasani. Ekipi i Nevil Dedes nuk iu ndahet, teksa fitojnë 2-0 ndaj Burrelit. Një rezultat që i mban në vendin e dytë në klasifikim, pozicion që të siguron ngjitjen në Superligë sezonin e ardhshëm. Ndërkohë edhe Apolonia i ndjek hap pas hapi. Fierakët pas fitores 4-1 me Tomorin arrijnë në kuotën e 14 pikëve.
Vora nga krahu tjetër pavarësisht humbjes me Bylisin ndodhet në vendin e 4-të në klasifikim me 12 pikë, po aq sa Flamurtari. Vlonjatët renditen në vendin e 5-të dhe në kuadër të javës së 7-të fituan 2-1 ndaj Besës së Kavajës.
Kastrioti gjithashtu mori një fitore të rëndësishme ndaj Korabit. Krutanët fitojnë 1-0 në shtëpi dhe ngjiten në zonën “Play-Off”, teksa mbajnë vendin e 6-të në klasifikim me 9 pikë. Po kaq pikë ka edhe Tomori, teksa Korabi ndjek me 8 pikë nga pas.
Lushnja pas fitores 2-1 me Luzin ngjitet në vendin e 9-të me 7 pikë, teksa më poshtë me nga 4 pikë ndodhen Burreli dhe Besa e Kavajës, përkatësisht në vendet e 10-të dhe 11-të, ndërsa Luzi mbyll tabelën e klasifikimit me vetëm 2 pikë pas 7 javësh kampionat.
[caption id="attachment_708901" align="alignnone" width="677"] Renditja e Kategorise se Pare[/caption]