
Kartoni blu është gati të implementohet në futboll. Kjo lëvizje revolucionare do të zyrtarizohet si pjesë e protokollit të arbitrave që do të kenë mundësinë të përjashtojnë lojtarë për 10 minuta nga fusha e lojës nëse kryejnë një faull cinik apo protestojnë ashpër ndaj zyrtarve të ndeshjes.
Teksa pikërisht për këtë ndryshim në futboll, ka folur trajneri aktual i Liverpool, Jurgen Klopp. Gjermanit nuk i pëlqen aspak futja e kartonit blu, ku sipas tij do të komplikonte futbollin madje do të shtonte shumë polemikat.
“Unë mendoj se futbollin duhet ta mbajmë të thjeshtë pasi kështu është më e lehtë edhe për arbitrat. Nëse shtojmë një tjetër karton, atëherë shtojmë edhe më shumë polemika, më shumë diskutime. Njerëzit do të nisin të diskutojnë nëse ishte karton i kuq apo karton blu. Këto vetëm sa e komplikojnë më shumë futbollin.
Ata po e testojnë këtë ide dhe unë nuk e kam problem, por nëse e vendosin si rregull nuk e di si ta komentoj. Nuk më duket një ide e bukur dhe të them të drejtën ata që merren me rregullat nuk kanë pasur kurrë ide të bukura mbi futbollin”, është shprehur Jurgen Klopp.