Kompeticioni i futbollit amator FSHF Cup 9×9 vijon me ritme të larta dhe emocione të forta, teksa janë zhvilluar ndeshjet çerekfinale, të cilat kanë përcaktuar katër skuadrat gjysmëfinaliste të këtij edicioni.
Çerekfinalet prodhuan përballje të forta dhe shumë të balancuara, ku në dy prej tyre fituesi u vendos vetëm pas goditjeve të penalltive.
Three Lions dominoi në ndeshjen ndaj FC Domja, duke triumfuar me rezultatin 4-0 dhe duke konfirmuar formën e mirë në këtë fazë të kompeticionit. Në një tjetër duel të luftuar, Barrikada arriti të mposhtë Albamer me rezultatin minimal 1-0, duke siguruar një vend në katërshen më të mirë.
Dy sfidat e tjera u vendosën nga pika e bardhë. Dymbëdhjeta barazoi 0-0 në kohën e rregullt ndaj FC Tigres dhe u tregua më e saktë nga penalltitë, duke fituar 5-4. Me të njëjtin skenar u mbyll edhe përballja mes FC Dajti dhe Alpha CrossFit, ku pas barazimit pa gola, FC Dajti triumfoi 5-4 nga goditjet e penalltive.
Pas këtyre rezultateve, janë përcaktuar edhe çiftet gjysmëfinale të FSHF Cup 9×9:
Barrikada – Three Lions
Dymbëdhjeta – FC Dajti
Gjysmëfinalet pritet të dhurojnë spektakël dhe rivalitet, teksa katër skuadrat do të synojnë një vend në finalen e madhe të këtij kompeticioni.
